Healthy Lifestyle

Si lindi FIT MOM WITH DINA?

Unë jam Rudina, ose siç ju të gjithë më njihni tashmë, Dina.

Nuk e mbaj mend kur kam filluar specifikisht të merrem me aktivitet fizik sepse në çdo etapë të jetës time kujtoj të jem ushtruar.

Në gjimnaz vrapoja shumë, më vonë fillova palestrën dhe prej 15 vitesh tashmë nuk jam shkëputur asnjëherë prej saj.

Çdo lodhje, stres, ankth gjente shërim te stërvitja.

Por si ndodhi që unë ta shihja aktivitetin fizik si diçka më tepër se një pasion?

Gjithçka filloi kur unë mbeta shtatzënë. Mbasi gjinekologia më konfirmoi se isha në pritje, pyetja e parë që i kam bërë ishte: “A mundet të stërvitem tani?”

Mbasi mora konfirmimin e saj, të shoqëruar me këshillën për të patur një regjimi ushqimor të shëndetshëm dhe pa abuzuar, u gjenda përballë pyetjeve: çfarë ushtrimesh të bëj dhe çfarë ushqimesh të konsumoj?

Vazhdova të stërvitesha me njohuritë që unë kisha, por paralelisht fillova të studioja mbi aktivitetin fizik në shtatzëni, dhe të ndiqja kurse online, informacione që mua ma lehtësuan shumë si proces.

Të gjitha këto asnjëherë me qëllimin se një ditë do ti përdorja për t’ju ardhur në ndihmë nënave të tjera.

Ngacmimi i parë erdhi nga fjalia që një zonjë më tha në palestër ndërkohë që unë stërvitesha (në atë kohë 8 muajsh shtatzënë):

“Po bën gjënë më të mirë për veten tënde. Do të doja që edhe vajza ime ta kishte bërë. Ajo mori 25 kg në shtatzëni, të cilat nuk po i heq dot as sot e kësaj dite. Ajo donte, por nuk dinte dhe kishte “frikë” të stërvitej.”

Çdo shikim i ‘çuditshëm’ që kisha në palestër, çdo pyetje se si nuk kisha frikë të bëja ushtrime në javën e 38, më ndihmuan të filloj të mendoj ndryshe. U binda akoma më shumë se duhet të jepja kontributin tim për të ndihmuar mamat, të shijonin shtatzëninë e tyre dhe të mos e ndryshonin stilin e tyre të jetesës.

Shtatzënia nuk është sëmundje, por gjendje specifike.

Themes by WordPress